Telegrafi

Deputetët kthejnë mbrapsht ligjin e qeverisë për terrorizmin

Por, në një nga nenet e këtij ligji përcaktohet detyrimi i avokatëve që të raportojnë pranë institucioneve shtetërore nëse kanë dyshime për transaksionet që kryejnë klientët e tyre. Relatori i këtij ligji, deputeti demokrat Viktor Gumi, propozoi që hartuesit e draftit të konsultohen me qeverinë përpara votimit nga parlamenti, për nenin që detyron avokatin të raportojë rastet kur dyshon, se klienti i tij kryen pastrim parash.

“Në analizën që i është bërë nga Gjykata e Strasburgut një marrëdhënie të tillë është konstatuar pa mëdyshje se e para kemi të bëjmë me një ndërhyrje në jetën private dhe posaçërisht në të drejtën e korrespondencës së avokatit, por kemi dhe ndërhyrje në jetën private të avokatit sepse veprimtaria e biznesit dhe veprimtaria profesionale përbëjnë jetë private sipas Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut”, theksoi deputeti demokrat Gumi.

Ligji detyron subjektet apo institucionet raportuese të raportojnë menjëherë në Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave kur kanë të dhëna ose dyshime për veprime financiare, transanksione, fonde ose veprime të tjera, të kryera apo që tentohet të kryhen, që kanë për qëllim kryerjen apo financimin e veprave terroriste, pavarësisht nga vlera e tyre. Gjithashtu, çdo person që ka dijeni për veprime financiare, transanksione, fonde ose veprime të tjera, të kryera apo që tentohet të kryhen, që kanë për qëllim kryerjen apo financimin e veprave terroriste, është i detyruar të njoftojë menjëherë organet e zbatimit të ligjit ose Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave.

Me propozim të Ministrisë së Jashtme, qeveria miraton listën e personave të shpallur si terrorist ose mbështetës dhe merr masat për bllokimin e transaksioneve dhe të formave të tjera të financimit të terrorizmit. Të martën pritet rishqyrtimi nga Komisioni i Ligjeve i projektligjit së bashku me mendimet e reja të qeverisë. /Telegrafi/