Raportin e fundit të Agjencisë për Menaxhim të Komplekseve Memoriale (AMKM), të prezantuar sot në komisionin për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor deputetët e vlerësojnë të dobët dhe të mangët.
Këtë vlerësim ata e dhanë për shkak se në raport munguan të dhënat financiare për mjetet e shpenzuara për memorialet.
Drejtori i AMKM-së, Bislim Zogaj, i cili prezantoi raportin para deputetëve të këtij komisioni, bëri të ditur se aktualisht në kompetencë kanë 121 memoriale, teksa shtoi se janë duke u munduar të zgjerohen edhe më tutje.
Si agjencion, Zogaj tha se krahas obligimeve kanë edhe probleme me disa komplekse memoriale, si “Adem Jashari” dhe “Ibrahim Rugova”.
“Problemi i parë është kompleksi memorial ‘Adem Jashari’, që tani besoj se me votimin e projektligjit do ta kemi një situatë krejt ndryshe, më të mirë. Dhe, besoj se prej fillimit të ri, do të fillojë të zgjidhet ky problem dhe do ta heqim si përgjegjësi si qytetarë, por edhe ne kush kemi pasur pozita, që nuk kemi bërë që ky kompleks memorial të jetë më i dinjitetshëm se që është për momentin”, tha ai.
Sa i përket memorialit “Ibrahim Rugova”, Zogaj tha se kanë hasur kërkesa të arsyeshme dhe të paarsyeshme të qytetarëve, por u shpreh optimist se kjo çështje do të zgjidhet.
Ndërsa për kompleksin memorial në Mejë, ai tha se janë të përkushtuar në përmirësimin e gjendjes në kompleksin përkatës, pasi që gjendja aty nuk është aspak e mirë.
Pas kësaj, nuk munguan kritikat e deputetëve, të cilët njëri pas tjetrit përsëritën mungesën e të dhënave financiare për memorialet.
Në këtë aspekt, më e zëshmja ishte deputetja Besa Gaxherri, e cila kërkoi të bëhet auditimi i punës së AMKM, ndërsa shtoi se kjo agjenci duhet të veprojë e pavarur nga politika.
Sipas saj, raporti i prezantuar sot ishte i mangët dhe nuk përmban asnjë të dhënë financiare për mjetet që janë shpenzuar deri më tani për memorialet. Teksa, duke folur për keqpërdorim të mjeteve, përmendi edhe shifra.
“Nëse flasim deri më tani janë investuar mbi 10 milionë euro, dhe kolegë deputetë, ju të cilët keni qenë bashkë atë ditë, unë nuk jam profesionaliste në aspektin e inxhinieringut për ato punë që janë bë, por jam shumë e sigurt, për aq sa më ka rënë me i bë 4 shtëpi në këtë moshë, se aty nuk kanë shkuar më shumë se 3-4 milionë euro. Mendoj se ne duhet të kërkojmë që të bëhet një auditim sepse nuk ka asgjë më të papranueshme se sa të keqpërdoren mjetet e memorialeve”, u shpreh Gaxherri.
Kryetari i Komisionit, Muharrem Nitaj, tha se raporti i paraqitur nuk është i plotë pasi nuk përmban të dhëna financiare. Ai pyeti se sa kohë i duhet AMKM-së të dalë me raport të kompletuar.
“Raporti që na e keni sjellë në Kuvend, sipas vlerësimit tim nuk është i plotë dhe shpresoj se do ta plotësojmë. Sa kohë ju duhet juve si agjenci që të vini me një raport të detajuar financiar për të gjitha komplekset memoriale në Republikën e Kosovës”, tha Nitaj.
Drejtori i AMKM-së nuk hezitoi të pranojë vërejtjet e deputetëve, teksa shtoi se raporti mund të plotësohet me të dhëna shtesë.
“Definitivisht, ky raport është i mangët në të gjitha aspektet. Unë kam menduar që ky raport të jetë vetëm si udhërrëfyes në çka të orientohemi. Kurse, raportet financiare dhe të gjitha ato, jemi të gatshëm në çfarëdo kohe t’iu raportojmë për projektet që i kemi bërë si agjenci. Thashë që ne i menaxhojmë edhe shumë komplekse memoriale, lapidare dhe varreza, që ne as nuk e kemi bë punën, dhe as nuk e kemi pas projektin dhe as investime. Për ato që i ka kryer agjencioni jemi të gatshëm për të raportuar, por për ato që janë bërë më herët nuk kemi të dhëna”, tha Zogaj.
Deputeti Andin Hoti shtroi edhe çështjen e Shtëpisë Muze “Ukshin Hoti” në Krushë të Madhe.
“A keni arritur me fut në agjencionin tuaj edhe shtëpinë muze ‘Ukshin Hoti’ në Krushë të Madhe”, pyeti Hoti.
Zogaj tha se së pari duhet të bëhet kërkesë për kalimin e këtij kompleksi në kompetencë të AMKM-së, pasi që aktualisht është kompetencë e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Ndërsa, deputetja Ganimete Musliu nga radhët e PDK-së, tha se duhet të bëhet e ditur se sa mjete duhen për t’u kryer punët. Ajo tha se memoriali “Adem Jashari” duhet të dallojë nga të tjerët, ndërsa kërkoi informacione edhe për kullat e kompleksit “Ahmeti” në Likoshan.
Dilema pati për kohën se kur duhet të prezantohet një raport i kompletuar, ku kryetari i AMKM-së kërkoi kohë, por deputetët kërkuan të mos ketë shtyrje dhe u vendos që pas tri javësh kryetari i AMKM-së, Bislim Zogaj të dalë para komisionit me raport më të zgjeruar, përfshirë edhe atë të auditorit.
Ndryshe, në mbledhjen e mbajtur sot, janë miratuar projektligjet për Mbrojtjen nga Zhurma dhe ai për Krijimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Hapësinor në Republikën e Kosovës. /KP/