Site icon Telegrafi

Deputetët e përjashtuar, Byroja e njëanshme

E përditshmja Panorama raportoi të premten se deputeti Armando Prenga është shprehur se goditja me grusht nga ana e tij e deputetit Edi Paloka ishte një veprim i pamenduar.

“Unë pata një irritim të madh nga fjala e Edi Palokës, pasi u shpreh ‘ja ku janë këlyshët që kanë bërë 21 janarin’. Kjo ishte shumë fyese, përveç sharjeve të ulëta nga familjet, siç e ka zakon dhe e praktikon vazhdimisht,” tha Prenga për Panoramën.

Sipas deputetit socialist “Byroja duhet të kishte dënuar edhe Edi Palokën pasi ai ishte zanafilla e situatës së krijuar në sallën e Kuvendit”. Deputeti Paulin Sterkajndan të njëjtin mendim me kolegun e tij Prenga kur thotë se edhe Paloka duhet të ishte dënuar, pasi sipas tij “sjellja e Palokës në Kuvend është e përsëritur dhe duhet dënuar”.

Sterkaj tha për të përditshmen Panorama se ai nuk është atakuar asnjëherë më parë me ndonjë deputet që bën dhe artikulon politikë në Parlament. “Sot ishte një rast specifik me Edi Palokën…. Isha shumë i qetë, por deri në momentin që ofendoi deputetët. Ai ofendoi mbarë Parlamentin dhe deputetët e opozitës duke i quajtur ‘këlyshët e 21 janarit’. Unë këtë nuk e durova dot dhe i hoqa mikrofonin nga dora”, tha Sterkaj, duke akuzuar Palokën.

Duke komentuar vendimin e byrosë, Sterkaj tha se ishte flagrant dhe i padrejtë.

“Megjithatë unë dënimin e mora jo nga Byroja parlamentare, por nga byroja politike e Partisë Demokratike. Dënimi është sa i pavlefshëm, aq dhe qesharak, sepse fillon më 14 shkurt dhe jo që sot kur ne kemi bërë shkeljen. Për mua duhet të ishte dënuar edhe Edi Paloka që ka përdorur fjalor krejt të papërshtatshëm dhe fyes”, tha Sterkaj.

Ndërkohë, deputeti i tretë socialist i përjashtuar nga Kuvendi për 15 ditë, Saimir Tahiri ishte larg vendit të incidentit që përfshiu dy kolegët e tij Prenga e Sterkaj dhe deputetin demokrat Paloka. Tahiri, njëkohësisht nënkryetar i Grupit parlamentar socialist, tha për Panoramën se përjashtimi ishte bërë “me rregullore oborri” dhe jo me “rregullore Kuvendi”.

“Pikërisht pse nuk isha pjesë e sherrit nuk e kuptoj arsyen e përjashtimit tim. Nuk kam ushtruar dhunë ndaj asnjë deputeti, nuk kam kërcënuar njeri dhe nuk kam shkelur as Kushtetutën e as Rregulloren e Kuvendit. Këto nuk janë pjesë e karakterit tim, e jo më pjesë e praktikës time të punës. Me shumë gjasa ky është një përjashtim me rregullore oborri, jo me rregullore Kuvendit. Është ndëshkim me rregullore oborri për deputetët e Kuvendit, njëlloj si Saliu vrau qytetarët e pafajshëm të 21 janarit”, tha Tahiri. /Telegrafi/

Exit mobile version