Tridhjetë deputetë nga përbërja e parë parlamentare në Maqedoni kanë ftuar qytetarët që të dalin dhe të votojnë në referendumin e 30 shtatorit.
Ata thanë se referendumi është mundësi historike për të përforcuar themelet e pavarësisë dhe sovranitetit të shtetit, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“I kemi bërë hapat e duhur në kohë të duhur. Sollëm deklaratë për pavarësi, sollëm deklaratë për anëtarësim në BE dhe NATO, miratuam Kushtetutën, si dhe vendimin për referendum. Pranimi në OKB ishte i kushtëzuar me pranimin e marrëveshjes me Greqinë dhe kemi mundur të themi se duam të jemi pjesë e OKB-së, por jo nën referencën IRJM, megjithatë ku do të ishim tani? Mund të mos i duam partitë politike dhe politikanët, por Maqedoninë të gjithë duhet ta duam”, tha ish-deputeti Alil Xhaferoski.
Ai theksoi se vendimi i vërtetë do të jetë më 30 shtator, pasi mund të jetë edhe një hap i duhur në kohën e duhur.
Mesin e deputetëve që sot dhanë mbështetje për referendumin ishin kryetari i parë i Kuvendit, Stojan Andov, deputetët Petar Goshev, Tito Petkovski, Vasil Zimbakov, Muhamed Halili, Gjullustana Markovska, Mihaill Panovski, Ismet Ramadani dhe të tjerë./Telegrafi/