Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë sot me anë të një komunikate për media ka kërkuar nga deputetët të heqin dorë nga iniciativa për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.
Por deputetët nënshkrues, kryesisht nga PDK-ja nuk kanë dashur të japin deklarata në lidhje me këtë çështje.
Xhavit Haliti ka thënë se pasi që nuk është nënshkrues i kësaj iniciative nuk dëshiron të flas, ndërsa deputeti Bekim Haxhiu thotë se nuk dëshiron të japë deklaratë pasi që është në pushim.
Jashtë vendit është shefi i Grupit Parlamentar Memli Krasniqi, ndërsa telefonin nuk e kanë hapur deputeti Elmi Reçica, Xhevahire Izmaku, Blerta Deliu dhe deputetë tjerë.
KosovaPress e ka pasur të pamundur që të kontaktojë me iniciuesin e nënshkrimeve Nait Hasani.
I vetmi që ka folur nga PDK-ja është deputeti Nezir Çoçaj. Por ai ka thënë se pasi që Kuvendi është në pushim ende nuk janë takuar grupi i deputetëve.
“Ne jemi në pushime nuk jemi takuar me grupin e deputetëve dhe nuk jemi konsultuar për këtë çështje”, tha Çoçaj.
Derisa deputetët e PDK-së kishin votuar pro ligjit në vitin 2015, ndërsa tash kanë ndryshuar qëndrim, ata të AAK-së janë të vendosur kundër Ligjit për Specialen.
Deputetja e AAK-së Time Kadriaj tha për KosovaPress se AAK nuk ka ndryshuar qëndrim pavarësisht kërkesave nga BE-ja dhe SHBA.
Ajo tha se nisma e deputetëve është ligjore dhe ajo duhet të shkojë në Kuvend që të votohet për ose kundër.
Sa i përket tërheqjes së iniciativës ashtu siç ka kërkuar zyra e BE-së, Kadriaj nuk ka ndonjë koment pasi që siç tha ajo ende nuk kanë folur me deputetët, por edhe kjo sipas saj, mbetet në dorën e iniciatorit.
“Ne jemi vetëm nënshkrues, a tërhiqet a jo unë nuk kam ndonjë koment sepse nuk është në dorën tonë. Nisma është plotësisht ligjore dhe ne siç kemi qenë gjithnjë kundër formimit të Gjykatës Speciale tash e përkrahim iniciativën për shfuqizim. Nuk kemi ndryshuar qëndrim”, tha Kadriaj për KosovaPress.
Foto: Arkiv