Vetëm 5 ditë para zgjedhjeve të pjesshme në Kukës, deputetët demokrat mbështetës të grupimeve të ish-kryeministrit Sali Berishës dhe deputetit të PD-së Gazment Bardhit u mbledhën këtë të martë në qytetin e Kukësit.
Për takimin, deputetët demokrat u njoftuan gjatë fundjavës dhe është në vazhdën e takimeve që kanë zhvilluar deri më tani në kryeqytet me qëllim për-bashkimin e qëndrimeve të dy grupimeve të deputetëve.
Takimi shikohet edhe si një mbështetje dhe angazhim total i opozitës së drejtuar nga Berisha për të fituar bashkinë e Kukësit me kandidatin Emri Vata.
Ky i fundit ishte dhe vetë i pranishëm në takim duke marrë mbështetjen e deputetëve demokratë.
Sali Berisha tha pas mbledhjes së përbashkët me deputetët e grupit Bardhi në Kukës, se kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë për zgjedhjet e pjesshme në këtë bashki, Emri Vata mori solidaritetin e plotë të të gjithë deputetëve të PD.
Berisha u bëri thirrje të gjithë kuksianëve që ti drejtohen kutive të votimit të dielën për të bërë ndryshimin e madh.
“Emri Vata ka besimin e plotë të të gjithë deputetëve të PD, besim se ai votën do e kthejë në shërbime transparente dhe përkushtim për qytetarët e Kukësit.
Është rasti t’u bëj thirrje të gjithë kuksianëve, kudo që ndodhen, por që kanë qendrën e votimit në Kukës, të vijnë ditën e diel dhe me votën e tyre të firmosin fillimin apo agun e një ndryshimi të madh që e pret Shqipërinë. Në mbledhje u diskutua gjerësisht mbi axhendën parlamentare, u morën vendime të cilat zoti Bardhi do ua komunikojë. Unë them se ishte një mbledhje shumë e frytshme”, tha Berisha.
Gazment Bardhi foli për mediat pas mbledhjes në Kukës.
Ai u pyet sa i takon listës së emrave të Komisionit të Posaçëm Zgjedhor. Gazetari i Euronews Albania Ardit Hoxha kujtoi se në listën që lexoi Bardhi figuronin edhe përfaqësues nga parti të vogla siç është Mediu apo Idrizi. Në këto kushte gazetari pyeti nëse Bardhi do të ishte dakord që në këtë listë të kishte deputetë që i përkasin grupimit pro-Basha.
“Emrat që ka miratuar grupi parlamentar i Partisë Demokratike pasi ka mbledhur propozimet në mbledhje. Nëse kam apeluar në mënyrë të vijueshme që secili koleg do të duhet të reflektojë për t’u bashkuar, për të unifikuar agjendën parlamentare, një nga çështjet është edhe kjo. Askujt nuk mund t’i caktohet një detyrë nga grupi parlamentar nëse nuk shpreh përpara grupit marrjen përsipër të kësaj përgjegjësie,” – u shpreh Bardhi.
Ai tha se cilido prej kolegëve që do të bëhet pjesë e këtij përfaqësimi apo marrjes përsipër të kësaj përgjegjësie është i lutur ta paraqesë kërkesën në grup dhe nuk ka asnjë diskriminim në këtë pjesë.