Zgjedhjet e fundit parlamentare në Maqedoni janë mbajtur më 11 dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa mandati i deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë është verifikuar më 30 dhjetor, shkruan Telegrafi Maqedoni.
Një deputet në Maqedoni merr pagë Neto prej 1335 euro, pa përfitimet nga komisione parlamentare.
Nga kjo matematikë e thjeshtë për dy muaj të plotë (janar, shkurt) deputetët kanë marrë dy rroga që i bie nga 2670 deri tani.
Për të parë vlerën e plotë të marrë nga taksapaguesit, 120 të zgjedhurit tonë kanë marrë hiç më pak se 320.400 euro.
Nga Kuvendi i Maqedonisë janë prononcuar për këtë rast duke thënë ”Ashtu është ligji. Ne nuk mund t’i lëmë deputetët pa të ardhura pasi të njejtët kanë dhënë dorëheqje nga puna që e kanë punuar më para.” tha Todor Pendaro, që është i angazhuar si zyrtar për marrëdhënie me publikun në Kuvend.
Deputetët janë kurnac
Më herët disa funksionarë që tani janë deputetë kishin ngritur iniciativa që paratë e marra për të cilat nuk punojnë, t’i dhurojnë për qëllime humanitare. Kjo nuk ndodhi dhe 320.400 euro tanimë janë futur nëpër xhepat e përfaqësuesve tanë.
Të njejtit e presin edhe rrogën e muajit mars, për të cilën nuk kanë punuar saktë 15 ditë. /Telegrafi/