Prezantuesja e njohur Albana Osmani vitin e kaluar nisi një kauzë sensibilizuese, e cila mori përmasa të mëdha.
Bëhet fjalë për bluzat me logon e lulediellit, të cilat shiten dhe nga fitimet e tyre mblidhen fonde për fëmijët në nevojë.
Të shumtë kanë qenë figurat publike të cilët kanë mbështetur këtë fushatë sensibilizuese, duke veshur bluzat dhe duke i promovuar më pas në rrjetet sociale.
Sot (e enjte), me rastin e festës së 8 marsit, Albana Osmani është gjendur në Kosovë, teksa kauzës së saj i janë bashkuar edhe të gjithë deputetët e Parlamentit të Kosovës.
Gjatë seancës së sotme, ata kanë veshur bluzat me logon e lulediellit, ndërsa janë fotografuar të gjithë së bashku pranë prezantueses Osmani.
Kjo e fundit, vendosi të ndajë me fansat këtë fotografi në llogarinë e saj zyrtare në Instagram.
“Të gjithë bashkë për ardhmërinë , për fëmijët! Deputetët kosovarë pa dallim etnie në mbështetjen e kauzës së ngritur për fëmijët e Kosovës!”, ka shkruar Albana Osmani në mbishkrimin e fotografisë. /Telegrafi/