Telegrafi

Deputetët e Komisionit për të Drejta të Njeriut kërkojnë nga Qeveria të sigurojë buxhet për kthimin e shqiptarëve në veri të Mitrovicës

Deputetët e Komisionit për të Drejta të Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione kanë vizituar sot disa nga lagjet në pjesën veriore të Mitrovicës, ku kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës buxhet e strategji për të kthyer shqiptarët nëpër pronat e veta atje.

Përmes një postimi në Facebook, deputetja e PDK-së, Valdete Idrizi ka thënë se nuk ka as zyrë për komunitete se le më t’i trajtojë kërkesat e shqiptarëve.

“Për më tepër komuna veriore e Mitrovicës nuk ka as zyrë për komunitete se le më t’i trajtojë këto kërkesa tejet legjitime të shqiptarëve. Shteti duhet të reagoj sot, se demografia atje po ndryshon, spastrimi etnik ndryshe nuk është! Qeveria duhet të sigurojë buxhet dhe strategji për të kthy banorët shqiptarë në pronat e tyre dhe në këtë mënyrë siguron edhe qëndrimin e atyre banorëve që veq janë atje”, shkruan Idrizi.

Postimi i plotë:

Sot, bashkë me kolegët deputetë anëtarë të Komisionit për të Drejta tē Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, kemi vizituar pjesën veriore të Mitrovicës, më konkretisht lagjen e Boshnjakëve, lagjen 7 Shtatori, Kroi i Vitakut dhe lagja e Re Lugina e Diellit.

Banorët shqiptarë tash sa kohë kanë adresuar shqetësimet për ndërtimet e shumta të ndêrtesave kolektive, dhe të organizuara nga Qeveria e Serbisë, pa i ndalur fare as në kohë pandemie. Përfaqësuesit e këshillit të lagjes së Boshnjakëve i kemi pasë edhe në Kuvend, ku kanë shprehë shqetësimet se popullata shqiptare është diskriminuar duke iu refuzuar lejet për rindërtime dhe ndërtime nga komuna veriore e Mitrovicës, e as ndonjë përkrahje tjetër.

Banorët shqiptarë të veriut të Mitrovicës janë diskriminuar edhe me buxhet nga Qeveria e Kosovës pasi që as kjo qeveri, si e mëparshmja nuk kanë paraparë buxhet as strategji për të kthyer shqiptarët në shtëpitë e veta duke iu rindërtuar dhe ndërtuar shtëpitë e shqiptarëve atje!

Për më tepër komuna veriore e Mitrovicës nuk ka as zyrë për komunitete se le më t’i trajtojë këto kërkesa tejet legjitime të shqiptarëve.

Shteti duhet të reagoj sot, se demografia atje po ndryshon, spastrimi etnik ndryshe nuk është!

Qeveria duhet të sigurojë buxhet dhe strategji për të kthy banorët shqiptarë në pronat e tyre dhe në këtë mënyrë siguron edhe qëndrimin e atyre banorëve që veq janë atje!/Telegrafi/