Deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë dalë në përkrahje të kërkesave të pensionistëve, ndërsa kanë kërkuar nga Qeveria t’iu ndajë subvencione deri në rritjen e pensioneve.
Deputeti nga radhët e AAK-së Pal Lekaj, së bashku me kolegun e tij Besnik Tahiri, kanë kërkuar dinjitet për pensionistët.
Sipas Lekajt, pensionistët kanë kërkesa lehtë të realizueshme nga ana e Qeverisë, të cilat janë: të eliminohet obligimi që pensionistët të lajmërohen çdo 6 muaj për të dëshmuar se janë gjallë dhe që Qeveria t’i ndajë subvencione çdo muaj, deri në rritjen e shumës së pensioneve.
“Në nisje të sesionit vjeshtor në Kuvendin e Kosovës, bashkë me kolegun deputet, Besnik Tahiri, në përkrahje të pensionistëve, në aksionin simbolik ‘Dinjitet për pensionistët’.
Kërkesat e tyre janë modeste dhe të realizueshme, të eliminohet obligimi që pensionistët të lajmërohen çdo 6 muaj për të dëshmuar se janë gjallë dhe që Qeveria t’i ndajë subvencione çdo muaj, deri në rritjen e shumës së pensioneve.
Rritja enorme e çmimeve ka vështirësuar mirëqenien e çdo kategorie të shoqërisë në vend, andaj këto kërkesa do të mbështeten pa rezervë nga grupi parlamentar i AAK-së. Realizimi i tyre duhet të bëhet sa më parë”, ka shkruar Lekaj në Facebook. /Telegrafi/