Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, ka pritur në takim anëtarët e Grupit punues për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe Ligjit për Procedurën Përmbarimore.
Ky Grup punues përbëhej nga deputetët Driton Selmanaj dhe Blerta Deliu, që është formuar nga Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit i Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Fillimisht, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Jetish Maloku, njoftoi anëtarët e këtij grupi punues me aktivitetet që janë ndërmarrë për zbatimin e Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Me këtë rast, me theks të veçantë, u diskutua pasqyrimi i sfidave gjatë zbatimit të këtij ligji, në mënyrë që ato të adresohen në kuadër të raportit që do të hartohet nga Grupi punues për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe Ligjit për Procedurën Përmbarimore.
Po ashtu, në fund të takimit, u diskutua edhe për zbatimin e Ligjit për Procedurën Përmbarimore. /Telegrafi/