Telegrafi

Deputetë e funksionarë qeveritarë të përmendur në listat e “veteranëve të rrejshëm”, thonë se gjithçka u montua (Video)

Shumë persona, që e kanë parë emrin e tyre në listat e veteranëve të rrejshëm, të publikuara në medie, kanë reaguar.

Bekë Berisha, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), është njëri nga ata i cili e pa emrin e tij në listën e publikuar në media si veteran mashtrues.

Këtë listë Berisha e quan si montim politik.

“Këto janë goditje të pritshme që nga paslufta, duke filluar nga UNMIK-u, sepse politikë e tyre ka qenë mos me qenë dikush krenar në këtë vend. Zona e Dukagjinit i ka 800 dëshmorë, prandaj ne lirinë e kemi fituar me gjake”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Bekë Berisha – Deputet i AAK-së.

Berisha i cili është edhe kryetar i veteranëve të Istogut thotë se do ta padisin Blakajn për njollosje dhe se krejt këtë akuzë e ka bërë për përfitime personale.

“Është mirë me i ndjek rrugët ligjore, me krijua një padi të madhe voluminoze me thirrur prokurorin dhe me u ballafaqua në gjyq më të për cilat qëllime na ka shti në këto lista. I ftoj bashkëluftëtarët të mos kërcënojnë pasi do ti ndjekim rrugët ligjore”, tha Berisha.

E në këtë listë është edhe Gazment Syla, i cili fillimisht mendoi se emri i tij në mesin e veteranëve të rrejshëm është gabim teknik.

“Në fakt, nuk e kam marrë seriozisht këtë problem, sepse të gjithë luftëtarët e Dukagjinit më njohin, por në fillim mendova mos është ndonjë gabim teknik, por kur kam parë emrat e shumë bashkëluftëtarëve të mi, atëherë është krijuar një ndjenjë jo e mirë”, shprehet Gazmend Syla- këshilltar në Zyrën e Kryeministrit për Veteranë.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë listën e plotë me 20 mijë emrat e atyre, që cilësohen si veteranë mashtrues.

Në aktakuzë është propozuar që gjykata të lëshoj masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteran luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale./Telegrafi/