Telegrafi

Depozitat bankare 2.52 miliardë euro

Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ka njoftuar se depozitat në sektorin bankar arritën vlerën 2.52 miliardë euro, rritje vjetore prej 7.4 për qind, e cila është dukshëm më e lartë se dy vitet e kaluara.

“Kontributin më të madh në rritjen e gjithsej depozitave në shtator 2014 vazhduan ta kenë depozitat e ekonomive familjare, të cilat shënuan rritje vjetore prej 7.5 për qind (8.0 për qind në shtator 2013). Gjithashtu, depozitat e ndërmarrjeve, të cilat në dy vitet paraprake kishin shënuar rënie, në shtator 2014 shënuan rritje vjetore prej 8.2 për qind (-0.9 për qind në shtator 2013). Depozitat tjera (depozitat e jo-rezidentëve, organizatave jo-qeveritare etj.) shënuan rritje vjetore prej 3.0 për qind në shtator 2014, që përbën një rritje dukshëm më të vogël se rritja prej 15.1 për qind në shtator 2013”, thuhet në raportin e BQK-së, për vlerësimin Tremujor të Ekonomisë.

Sipas BQK-së, strukturën e depozitave në sektorin bankar vazhdojnë ta dominojnë depozitat e ekonomive familjare me pjesëmarrje prej 72.8 për qind në gjithsej depozitat, duke vazhduar kështu të jenë burimi kryesor i financimit të aktivitetit bankar. Kategoria e dytë për nga madhësia përbëhet nga depozitat e ndërmarrjeve që kanë një pjesëmarrje prej 22.1 për qind në gjithsej depozitat.

Ndërsa, depozitat tjera në shtator 2014 kishin një pjesëmarrje prej 5.1 për qind në gjithsej depozitat e sektorit bankar. Depozitat e transferueshme dhe të kursimeve rritën pjesëmarrjen e tyre në gjithsej depozitat, kurse depozitat e afatizuara zvogëluan pjesëmarrjen.

Rënia e theksuar e normave të interesit në depozita gjatë vitit 2014 mund të ketë ndikuar në zvogëlimin e pjesëmarrjes së depozitave të afatizuara. Kurse, sa i përket strukturës së depozitave të afatizuara, në periudhën raportuese vihet re një rritje të pjesëmarrjes së depozitave me afat më të gjatë maturimi krahasuar me depozitat me afat më të shkurtër maturimi /Telegrafi/