Site icon Telegrafi

Deponia Rusino aktive deri në vitin 2025

 

Komunat e Pollogut duhet që në kohë të shlyejnë të gjitha borxhet ndaj Ndërmarrjes Rajonale Pollog-Rusino, me qëllim që e njëjta vitin e ardhshëm të ketë qëndrueshmëri financiare. Kryetar i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, tha se është bërë analiza e realizimit të projektit për deponinë Rusino dhe tha se është konstatuar se është bërë një punë e mirë.

“Nëse shihet tash, Rusino ka marrë një pamje krejt tjetër, ku gjysma e atij rajoni është deponi dhe gjysma është e gjelbëruar. Prej 1 janarit të vitit të ardhshëm, ndërmarrja rajonale Pollog-Rusino duhet që të ketë qëndrueshmëri financiare dhe komunat duhet që të angazhohen më shumë dhe komunat duhet të shlyejnë borxhet por edhe të risin pagesën që të mund të funksionojë ashtu siç duhet”, tha Arben Tarvari, kryetar i komunës së Gostivarit.

Ndërkaq, krahas gjetjes së lokacionit të ri për deponi rajonale pas vitit 2025, për komunat e Pollogut sfidë do të jetë edhe rritja e pagesës që do të duhet komunat të japin për mbetjet që dërgojnë në deponinë Rusino.

“Është biseduar që të gjendet në rajon i ri që të jetë një deponi e re komplet për zonën e Pollogut. Besoj që Ministria e Ekologjisë së bashku me komunat, deri 2025 të funksionojë Rusino, pastaj të vazhdojë ndonjë deponi tjetër rajonale. Do të angazhohemi, ka qenë krizë ekonomike, sidomos viti 2022 dhe shpresoj që viti i ardhshëm mos jetë kështu. Do të angazhohemi, sidomos komunat më të mëdha si Gostivari dhe Tetova ku të rritet edhe pagesa për amvisëritë që të mundet që edhe ndërmarrja Rusino të ketë qëndrueshmëri financiare”, deklaroi Taravari.

Aktualisht vetëm komuna e Zhelinës ende nuk ka shlyer borxhin ndaj Ndërmarrjes Rajonale Pollog-Rusino, për shkak të problemeve financiare. Këtë e konfirmon kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami. Ai tha se Komuna e Tetovës nuk ka borxhe ndaj ndërmarrjes Rusino.

“Ne kemi diskutuar që të gjitha komunat të gjejnë mënyrat për të bërë pagesën e borxhit ndaj ndërmarrjes. Në një takim të mëparshëm, kryetari i komunës së Gostivarit Arben Taravari ka njoftuar se është liruar llogaria e komunës dhe mund të bëjë pagesa dhe atëherë mbetet komuna e Zhelinës të gjejë mënyrë se si do të bëjë pagesën e borxhit dhe ngadalë t`I zgjidhim edhe këto probleme”, tha kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami.

Ai me këtë rast tha se ndërmarrjet publike të komunave të Pollogut është dashur që në plan programet e tyre të parashohin mjete më shumë për shkak të rritjes së kuotës së participimit për ndërmarrjen rajonale Rusino, sepse bëhet fjalë për vendim që është marrë gati se një vit më parë. Ai thotë se rritja e kuotës së participimit duhet të jetë e përballueshme për ndërmarrjet publike të komunave të Pollogut. (koha.mk)

Exit mobile version