Edhe përkundër premtimeve se pika për ngarkim shkarkim e mbeturinave do të jetë gati në mars dhe deponia në hyrje të Tetovës do të pastrohet, kjo akoma nuk ka ndodhur. Ndërtimi i saj ka filluar që me fillimin e vitit, por mungesa e mjeteve financiare ka shkaktuar vonesën e punëve.
Nga Ndërmarrja Publike Komunale vazhdojnë edhe më tej të premtojnë se kjo pikë ngarkim shkarkimi do jetë gati brenda disa ditësh, edhe përkundër asaj se kanë mbetur edhe shumë punë që ajo të vihet në funksion.
“Siç e shihni punimet vazhdojnë, jemi në pjesën finale të përfundimit të stacionit të ngarkim shkarkimit, besoj se në fund të muajit apo fillim të muajit maj kjo punë do të kryhet. këtu është stacion i ngarkim shkarkimit dhe pozitiviteti i saj është se këtu mbeturinat nuk do ta ndotin ambientin do hidhen në hinkë dhe pastaj në kontejnerë të mbyllur”, tha, Nazif Jashari nga Ndërmarrja Publike Komunale.
Nga ndërmarrje pretendojnë se është pastruar rreth 80 për qind e deponisë por filmimet e kamerës së televizionit Alsat dëshmojnë të kundërtën. Mbeturinat vetëm janë dislokuar në pjesën e pasme të deponisë, dhe kjo për shkak se vendi ku më parë hidheshin mbeturinat me ligjin për denacionalizim i është kthyer pronarit të vet.