Telegrafi

Deponia “Drislla” deri në muajin prill duhet të ketë furrë të re për mbeturinat mjekësore

Qeveria e Maqedonisë ka urdhëruar koncesionerin e “FCL Ambiente” të deponisë “Drislla” në Shkup, të furnizohet me furrë të re për djegien e mbeturinave mjekësore, pasi që u vërtetua se niveli i gazrave helmues që lëshon furra ekzistuese ka tejkaluar kufirin e lejuar, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Koncesioneri do të duhet të furnizohet me furrën e re deri në muajin prill të këtij viti, për çka veçmë është dhënë leja e ndërtimit nga Ministria për Transport dhe LIdhje, informoi sot zv.ministri Jani Makraduli.

Furra ekzistuese është blerë para 17 vitesh dhe në vazhdimësi ka kontribuar në ndotjen e ajrit për shkak të mungesës së filtrave. Deri në vendosjen e furrës së re, koncesioneri është i obliguar në furrën e vjetër të vendosë filtrat e duhur.

Siç tha Makraduli, nga fillimi i këtij viti në deponinë “Drislla” nuk bëhet djegia e mbeturinave mjekësore, por vetëm mblidhet në deponi.

Zv.ministri tha se koncesioneri ka qenë i obliguar të ketë furrë të re deri më mars të vitit 2014, por furra nuk është blerë deri më tani. Furra e re nuk është vendosur për shkak të mosdhënies së lejes për ndërtim nga Ministria e Transportit dhe Lidhjes./Telegrafi/