Site icon Telegrafi

Departamenti i Shtetit: Kosova dhe Serbia të shmangin provokimet dhe të kthehen në negociata

Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga BE dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Kështu, siç shkruan Zëri i Amerikës në gjuhën serbe, përcjell Telegrafi, ka thënë Departamenti i Shtetit me rastin e anulimit të takimit të liderëve të Serbisë dhe Kosovës në Paris më 1 korrik.

Në një deklaratë me shkrim nga Departamenti i Shtetit thuhet se “Beogradi dhe Prishtina duhet të heqin pengesat, të shmangin provokimet dhe të kthehen në negociata”.

“Ne jemi të gatshëm të dëgjojmë dhe të ndihmojmë të dyja palët dhe BE-në si një ndërmjetës për të gjetur një zgjidhje që të gjithë pajtohen”, është thënë në deklaratën e Departamentit të Shtetit.

Një reagim i tillë vjen pasi që takimi në Paris planifikuar për në 1 korrik, në të cilin është dashur të merrnin pjesë përfaqësuesit më të lartë të Serbisë dhe Kosovës në praninë e presidentit francez Emanuel Macron dhe kancelares gjermane Angela Merkel është shtyrë deri në një njoftim të mëtejshëm.

Kështu, siç shkruan VOA, senatori Ron Johnson, Kryetar i Nënkomitetit për Evropën dhe bashkëpunimin rajonal të sigurisë në Komitetin e Senatit për Punë të Jashtme, në një deklaratë me shkrim për Zërin e Amerikës tha se është “i zhgënjyer se Samiti në Paris nuk mund të mbahet.”

“Arritja e një marrëveshje sa më shpejt të jetë e mundur të kontribuojë në stabilitetin e Serbisë, Kosovës dhe të gjithë rajonit. Unë shpresoj se udhëheqësit në Beograd dhe Prishtinë të takohen së shpejti për të vazhduar negociatat dhe të vazhdojë të punojë drejt arritjes së një marrëveshjeje”, ka vlerësuar Senatori Ron Johnson. /Telegrafi/

Exit mobile version