Telegrafi

Departamenti Amerikan i Shtetit mesazh për zgjedhjet në Shqipëri

Departamenti Amerikan i Shtetit ka përgëzuar qytetarët shqiptarë për procesin zgjedhor të 25 prillit, ndërsa thekson se SHBA pret forcimin e mëtejshëm të partneritetit me Shqipërinë.

“SHBA përgëzon popullin e Shqipërisë për zgjedhjet e tyre të fundit. Ne shpresojmë të vazhdojmë partneritetin tonë të ngushtë me Kryeministrin Rama dhe të përgëzojmë fushatën e fortë të opozitës. Respektimi i rezultateve të zgjedhjeve legjitime forcon demokracinë e Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e zëdhënësit të DASH, Ned Price.

Po ashtu edhe kryediplomatja amerikane në Tiranë, Yuri Kim i ka uruar fitoren kryeministrit Rama dhe po ashtu ka përgëzuar fushatën e liderit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha.

“Ne e përgëzojmë Kryeministrin Partia Socialiste në fitoren e tyre elektorale. Ne gjithashtu përgëzojmë Kryetarin e PD-së Lulzim Basha për udhëheqjen e një fushate të fortë që u dha zë shumëkujt & frymëzoi shpresë”, shkruan ambasadorja.

Më tej, në reagimin e saj në “Twitter” Kim thotë se duke njohur rezultatin e 25 prillit dhe duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin, udhëheqësit politikë  do t’i shërbejnë më mirë perspektivës dhe të ardshmes së shqiptarëve.

“Më e rëndësishmja, ne e përgëzojmë popullin shqiptar, i cili foli qartë. Duke njohur rezultatet e këtyre zgjedhjeve dhe duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin, udhëheqësit do të veprojnë me përgjegjësi për të mirën e popullit shqiptar. Ne shpresojmë të punojmë me Shqipërinë për të forcuar më tej bashkëpunimin mbi demokracinë, mbrojtjen dhe biznesin. Ne përsërisim që zbatimi i ligjit dhe gjyqësori duhet të ndjekin penalisht cilindo që shkel ligjin dhe pengon të drejtën e qytetarëve për të votuar lirshëm dhe në paqe”, shkruan ambasadorja Kim.