Policia e Fierit ka njoftuar sot se ka arrestuar një 49-vjeçar me rrezikshmëri të lartë shoqërore në fushën e krimeve kundër personit.
Në fshatin Hoxharë u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit me iniciale Sh.K., banues në Fier.
Ky person ka qenë i dënuar dy herë më parë për vrasje dhe për vrasje të mbetur në tentativë. Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri pistoletë me fishek në fole, gati për qitje, dhe një krehër me municion luftarak.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/