Site icon Telegrafi

I dënuar me 11 vite burg në Itali, arrestohet 60-vjeçari në Vlorë

Foto: Ilustrim

Hesapet e pambyllura me drejtësinë italiane kanë çuar në pranga një 60 vjeçar në qytetin e Vlorës. Policia bën me dije se është vënë në pranga Fredi Arshi (alias Alfred Arshiaj).

“Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Vlorë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Epilogo”. Gjatë operacionit, u kap në lagjen “10 Korriku” dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Itali, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar: Fredi Arshi alias Alfred Arshiaj, 60 vjeç, banues në Vlorë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit Torino, Itali, me vendimin e datës 20.03.2018, e ka dënuar me 11 vjet e 6 muaj burgim për veprën penale “Organizatë kriminale në trafikimin e lëndëve narkotike”, sipas Kodit Penal Italian”, njofton policia.

I arrestuari rezulton i dënuar nga autoritetet italiane me 11 vjet e 6 muaj burg si pjesëtari i një grupi kriminal me veprimtari në fushën e narkotikëve. Interpol Tirana dhe Interpol Roma po bashkëpunojnë për të kryer ekstradimin e tij në Itali. /Telegrafi/

Exit mobile version