Telegrafi

Denoncimet e Ahmetajt, Boçi: Ish-krahu i djathtë i Edi Ramës vërtetoi akuzat e PD-së

Deputeti i opozitës Luçiano Boçi u shpreh se ish-kryeministri i Shqipërisë në arrati Arben Ahmetaj, me deklaratat e tij, vërtetoi “akuzat e ngritura me fakte nga Partia Demokratike”.

Ai ka folur pas një interviste te Ahemtajt të publikuar të enjten.

“Dje shqiptarët kanë dëgjuar nga vetë ish-krahu i djathtë i Edi Ramës se koka i aferës korruptive të inceneratorëve është vetë Edi Rama, ndërsa pronari faktik i inceneratorit të Tiranës është Erion Veliaj, duke vërtetuar kështu akuzat e ngritura me fakte nga Partia Demokratike. Arben Ahmetaj faktoi se mbrojtësit kryesorë të vjedhjes së shekullit janë Altin Dumani, Arben Kraja dhe skapistët e tjerë, të cilët të korruptuar nga Rama-Veliaj shkartisën dosjen e vjedhjes së shekullit dhe nuk hetojnë procedurën antiligjore te prokurimit të firmosur nga Edi Rama dhe Erion Veliaj, por bëjnë koka turku sipas urdhrit të Rama-Veliaj. Arben Ahmetaj dëshmoi mbrëmë se Mirel Mërtiri nuk është pronar i djegësit të Tiranës, por është Erion Veliaj dhe se për zhdukjen e 130 milionë eurove për inceneratorin e Tiranës, Dumani-Kraja dhe organizata e tyre kriminale nuk hetojnë, sepse ato para janë vjedhë zhdukur nga Rama-Veliaj”, tha Boçi.

Lexo po ashtu Deklaratat e Ahmetajt, reagon Basha: PS bandë kriminale, të gjithë tregojnë me gisht Edi Ramën

“Krahas kësaj, Ahmetaj denoncoi kapjen politike të Altin Dumanit, Arben Krajës dhe SPAK si dhe përdorimin e tij prej Ramës, si marionetë e bindur politike me qëllim për të stisur hetime e akuza, për të arrestuar e burgosur, shantazhuar e dënuar, kundërshtarët e tij politikë brenda PS, sikurse armiqtë politikë të opozitës, apo këdo që synon të thotë të vërtetën për bandën e tij narko-politike. Pasi Dumani-Kraja u thanë shqiptarëve se nuk mund të sekuestrohet inceneratori, sepse na hedhin në Arbitrazh, pasi deklaroi se nuk dihet kush janë pronarët, sikur të ishte një shtet jashtë planetit, deri sot nga 130 milionë para të vjedhura për ndërtimin e inceneratorit që nuk ekziston, nuk ka gjetur apo konfiskuar një qindarkë të vetme, vetëm se ato janë paratë e padronëve të tij. Metodat e përdorura nga SPAK nën drejtimin e partisë në pushtet, u demaskuan si metoda staliniste që nuk respektojnë asnjë ligj, të denja për hetuesinë e periudhës së diktaturës komuniste, duke e shndërruar atë në një aparat shtypës politik që vetëm drejtësi nuk bën”, shtoi Boçi. /Telegrafi/