Sulmi i mbrëmshëm ndaj gazetarëve të A1on në Shkup nga ana e një grupi protestuesish të dhunshëm të protestës së shoqatës ”Për Maqedoni të Përbashkët” ka shkaktuar reagime të shumta në opinion, njofton Telegrafi Maqedoni.
Sindikata e pavarur e gazetarëve dhe punëtorëve medial (SPGPM) kërkon nga policia që sa më shpejtë që mundet t’i gjejë sulmuesit dhe ta ndriçojë incidentin, pasi që kjo nuk është hera e parë që sulmohen gazetarët, ndërsa sulmuesit vazhdojnë të jenë të pandëshkuar.
Sipas Këshillit për Etikë në Mediume (KEM) nuk bëhet fjalë për ndonjë incident të izoluar, kurse prirja e dhunës dhe pengimit të punës së gazetarëve dhe punëtorëve medial vazhdon të jetë një problem serioz.
Alenaca për Maqedoni Pozitive kërkon nga MPB-ja dhe Prokuroria Publike që sa më shpejtë të dalin para drejtësisë porositësit dhe personat të cilët sulmuan ekipin e gazetarëve të A1on gjatë protestave të mbrëmshme.
Lëvizja për Reforma – PDSH konsideron se sulmet ndaj gazetarëve janë tregues i vandalizmit të pushtetit në ikje, duke shtuar se sulmet e këtilla janë të patolerueshëm dhe të papranueshëm. LR-PDSH-ja kërkon nga organet kompetente që të marrin masat e duhura për të ndriçuar rastin në fjalë.
Naser Selmani, kryetar i SHGM-së, konsideron se frymëzues kryesor i sulmit ndaj gazetarëve të A1on është kryetari i OBRM-PDUKM-së, Nikolla Gruevski, duke rikujtuar se gjatë kohës sa ai ishte kryeministër, në Maqedoni ka patur 40 sulme ndaj gazetarëve kurse qeveria e tij nuk zbardhi asnjë rast të vetëm.
Për Agjencinë për shërbime mediale audio dhe audioviyuele (ASHMAA) siguria dhe jeta e gazetarëve profesionistë nuk guxon të vihet në rrezik, dhe se duhet t’u mundësohet që ta kryejnë detyrën e tyre pa pengesa./Telegrafi/