Telegrafi

Dënohet me pesë vite burg për pjesëmarrje në ISIS

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda ka shpallur Aktgjykimin kundër të akuzuarit M.D për veprën penale Organizimi dhe Pjesëmarrja në grup terrorist nga neni 143 paragrafi2 i KPK-së.

“I akuzuari M.D është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej pesë (5) vitesh në të cilin dënim do i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Të akuzuarit M.D i është vazhduar masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Gjykata ka konstatuar se i akuzuari M.D me qëllim që ti bashkëngjitet grupit terrorist në Siri, nga muaji mars të vitit 2013, me deshirë, me vetëdije dhe me paramendim kishte udhëtuar përmes rrugëve të ndryshme për në qytetin e Stambollit në Turqi, ku në fillim kishte qëndruar disa muaj në lagjen Kadëkej të Stambollit dhe pas një kohe së bashku me familjen e tij ishin vendosur në Kilis të Turqisë, afër kufirit me Sirin, prej nga ilegalisht kishin arritur në qytetin Gaziantep dhe pastaj i ishte bashkëngjitur organizatës terroriste ISIS, organizatë kjo që kishte vepruar në Siri dhe Irak.

I akuzuari M.D ishte pajisur me armë dhe municion ku ky grup kishte shkaktuar viktima të njerëzve të pafajshëm në ato vende dhe i pandehuri kishte qëndruar në Siri deri në gusht të vitit 2017, derisa ishte tërhequr nga këto organizata dhe ishte dorëzuar tek autoritetet turke dhe i njëjti kishte kërkuar që të kthehet në Kosovë, me çka eprorët përkatës i kishin mundësuar kthimin në Kosovë”, thuhet në njoftimin për media.

Andaj me këtë kishte kryer vepren penale Organizimi dhe Pjesëmarrja në grup terrorist nga neni 143 paragrafi2 i KPK-së.

Pala ka të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit të Kosovës. /Telegrafi/