Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm (gjyqtari Fatmir Krasniqi) ka shpallur aktgjykim dënues, ndaj të akuzuarit D.Q., për shkak se ai është shpallur fajtor.
“Nga muaji dhjetor i vitit 2019, e deri në shtator të vitit 2021 në Prizren, i akuzuari me qëllim të cenimit të dinjitetit brenda një marrëdhënie familjare në mënyrë të vazhdueshme i shkakton dhunë psikologjike, fizike dhe seksuale të dëmtuarës – bashkëshortes së tij, si viktimë e ndjeshme, e kur e dëmtuara shkëput lidhjen bashkëshortore nga i akuzuari për shkak të dhunës së ushtruar, i akuzuari vazhdon keqtrajtimin psikologjik, duke e thirrur vazhdimisht përmes telefonit, e më pas në pamundësi të flas përmes telefonit, i akuzuari vazhdon duke i dërguar mesazhe telefonike me përmbajtje ofenduese dhe kërcënuese, me të cilat veprime tek e dëmtuara ka shkaktuar shqetësim të madh emocional dhe ndjenjë të frikës dhe pasigurisë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Kësodore ka kryer veprën penale dhuna në familje nga neni 248 par. 3 lidhur me par. 1 e 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Me datë 2 shtator 2021, në Prizren i akuzuari D.Q., me qëllim të dëmtimit të pasurisë së të dëmtuarës, si rrjedhojë e mosmarrëveshjeve që kishin mes vete, i akuzuari i revoltuar nga kjo situatë, me mjet të fortë e dëmton veturën e të dëmtuarës,
Kësodore ka kryer veprën penale asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë nga neni 321 par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Andaj Gjykata, në kuptim të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, të akuzuarin e GJYKON:
Për veprën penale Dhuna në familje nga neni 248 par. 3 lidhur me par. 1 e 2, të KP-së
Dënim me GJOBË në shumën prej 500 (pesëqind) euro
Dënim me BURGIM në kohëzgjatje prej 1 (një) viti, në të cilin dënim do ti llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 02 shtator deri në ndërprerjen e masës së paraburgimit.
Për veprën penale asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë nga neni 321 par 1 të KP-së
Dënim me GJOBË në shumën prej 300 (treqind) euro
Pas shpalljes së aktgjykimit, gjyqtari i rastit ka njoftuar palët që brenda afatit ligjor të gjithë palët në procedurë do të pranojnë aktgjykimin e plotë në formë të shkruar dhe të arsyetuar.
Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit./Telegrafi/