Telegrafi

Dënohet një kompani spekuluese

Lajmi u publikua nga “Financial Times”. Kompania “CFTC”, me bazë në Holandë, është një fond investimi me shtrirje ndërkombëtare. Agjencia e Mbikëqyrjes së Tregjeve të Mallrave në SHBA, deklaroi se ka prova se kjo kompani ka manipuluar tregjet e naftës bruto, gazoilit dhe naftës për ngrohje në Nju Jork, në disa ditë, gjatë marsit të vitit 2007.

Kompania kishte përdorur një teknikë ilegale, që quhet “goditja e mbylljes”. Politika në SHBA po këmbëngul për hetimin e investitorëve në tregjet e mallrave bazë, për të parë nëse rritja stratosferike e çmimeve gjatë vitit të fundit, ka qenë pasojë e kërkesë-ofertës apo ka qenë edhe pasojë e spekulimeve.

Punonjësit e kompanisë së akuzuar kanë shkëmbyer e-maile me njëri-tjetrin, ku thonë se mund të “rrisin çmimin e naftës”.

E-mailet kanë rënë në dorë të autoritetit. Por megjithëse spekulantët akuzohen se kanë rritur çmimet, rasti në fjalë, thotë se investitori nën akuzë në tre raste e manipuloi çmimin në rënie, ndërsa në dy raste të tjera, në rritje.Gjatë ditëve të fundit, çmimet e naftës dhe mallrave të tjerë të rëndësishëm vijuan rrugën drejt rënies së përgjithshme.

Dje, çmimet e gazit në SHBA ranë me 9% brenda ditës, gjë që mori me vete edhe çmimin e naftës bruto, i cili shënoi pikën më të ulët në 123.5 dollarë për fuçi. Në tregun e produkteve të gatshme, Diezeli i standardit gjerman, ra me më shumë se 40 dollarë për tonë në 1160 dollarë. Benzina qe 1040 dollarë për tonë.