Site icon Telegrafi

Dënohet kryesindikalisti që organizoi protestën në Podujevë kundër arrestimit të doktorit

Foto: Arkiv

Kryesindikalisti i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë, Sheqir Maliqi është dënuar me dy gjoba nga Inspektorati Sanitarë si dhe Policia e Kosovës, për organizimin e protestës kundër arrestimit të mjekut pulmolog, Ibrahim Hoti.

Sheqiri në një prononcim për Telegrafin ka thënë se Policia e Kosovës e ka dënuar me 50 euro ndërsa Inspektorati me 200 euro.

Siç deklaroi ai, policia i kishte thënë se me ligj janë të ndaluara organizimet e tilla, e Sheqiri i ishte përgjigjur se edhe trajtimi që po i bëhet mjekut është i ndaluar.

“Pas takimit me kryetarin, policia kanë ardh e më kanë marr. Më kanë çuar në stacion policorë. Mi morën të dhënat dhe më dënuan…. Më thanë që është e ndaluar për organizime të tillë. E unë ju thash është e ndalueshme edhe mjeku jonë me u trajtu në këtë mënyrë. Po them me sinqeritet është një nga mjekët më me nivel në komunën tonë ”, ka thënë Maliqi.

Lexo po ashtu Mjekët në Podujevë kërkojnë lirimin e kolegut të tyre Ibrahim Hoti

Ndryshe, sot mjekët e QKMF-së në Podujevë kanë protestuar kundër arrestimit të mjekut Ibrahim Hoti, duke kërkuar lirimin e tij.

Për këtë kanë reaguar edhe nga Oda e Mjekëve të Kosovës dhe Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës të cilët kanë bërë thirrje për lirimin e doktor Hotit.

Ndryshe, të enjten ka qarkulluar një video nëpër rrjete sociale ku shihej doktori në Podujevë duke refuzuar ta kontrollojë pacientin e moshuar, madje në një moment ai kërkon nga familjari i tij që të dalin jashtë QKMF-së, duke ia hapur derën.

Pas refuzimit të dhënies së ndihmës ai është suspenduar nga puna dhe më pas është arrestuar nga Policia e Kosovës. /Telegrafi/ 

Exit mobile version