Përplasjet brenda Lëvizjes Besa kanë vazhduar edhe gjatë ditës së sotme. Pas njoftimeve për hyrje me forcë në zyrat e partisë në Shkup, nga ana e një grupi të udhëhequr nga Bilall Kasami, kanë reaguar kundërshtarët e tij, me në krye Nexhmedin Kahrimanin, njofton Telegrafi Maqedoni.
Sipas tyre, selia qendrore është sulmuar nga ekstremistë dhe Bilall Kasami.
”Sot selia qendrore e Lëvizjes Besa në Shkup, që ishte nën mbrojtje të një kompanie të sigurimit, është sulmuar nga persona të armatosur, është thyer brava dhe hapësira e saj është marrë me dhunë. Dyshohet se personat që e kanë bërë këtë janë disa ekstremistë të dhunshëm të Çairit dhe të fshatit Llërcë të Tetovës, ndërsa i shoqëruar nga këta njerëz, ka ardhur edhe, tashmë kryetari i shkarkuar, Bilall Kasami.
Sidoqoftë, në emër të anëtarësisë së Lëvizjes Besa, shumicës së Këshillit Qendror, Kryesisë Qendrore dhe shumicës absolute të strukturave të Besës, ne e dënojmë këtë akt të dhunshëm dhe presim që organet e rendit ta zbardhin këtë rast dhe ushtruesit e këtij akti vandal të përgjigjen para drejtësisë.
Me këtë rast edhe një herë pohojmë se kjo nuk ka qenë gjuha që e kemi instaluar ne, këto nuk janë as vlerat që ne i kemi promovuar dhe kjo është në kundërshtim me gjithçka që ne e kemi ideuar në Lëvizjen BESA. Neve na vjen keq që Bilall Kasami në bashkëpunim me klane ekstremiste të Çairit po i uzurpon dhunshëm jo vetëm zyrat e Besës, por edhe i nëpërkëmb vlerat që në skenën politike i ka sjellë Lëvizja Besa”, (sic), thonë nga kundërshtarët e Kasamit.
Megjithatë, Bilall Kasami i ka mohuar këto akuza. Në një deklaratë për TV21, Kasami thotë se nuk ka përdorur dhunë dhe nuk e ka ndërmend ta bëj një gjë të tillë.
”Nuk përdora dhunë, dhe nuk do të përdor dhunë. Shpekulimet që i bëjnë tjerët, le t’u shërbejnë atyre”, deklaroi Kasami./Telegrafi/