Site icon Telegrafi

Dënohet me burgim zyrtari korrektues për keqpërdorim të pozitës

Foto: Ilustrim

Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit R.Z për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Blerja posedimi, shpërndarja dhe shitja e pa autorizuar e substancave psikotrope dhe analoge” dhe kundër të akuzuarit B.S për veprën penale “Posedimi i pa autorizuar i narkotikeve, substancave psikotrope ose analoge”.

I akuzuari R.Z. është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej një vit e tetë muaj, në dënimin e shqiptuar të njëjtit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 03.12.2020 deri 18.01.2021, ndërsa me aktvendim të veçantë i ndërpritet paraburgimi deri në plotfuqishmëri të këtij aktgjykimi.

I akuzuari B.S. është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej shtatë muaj si dhe dënim me gjobë në shumë prej 500 euro, të cilin dënim është i obliguar që ta paguajë në afatin prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

I akuzuari R.Z. në cilësinë e personit zyrtar, në Qendrën e paraburgimit në Prishtinë, në mënyrë të kundërligjshme dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete apo tjetrin nuk i kishte përmbushur detyrat e tij zyrtare ashtu që me datë 03.12.2020, kishte futur substancë narkotike të llojit marihuanë në Qendrën Korrektuese në Prishtinë ku edhe kishte qenë duke punuar dhe atë me qëllim që të ndërmjetësoj dhe t’ia dorëzoj këtë substancë narkotike të dënuarit B.S. cili gjendej në vuajtje të dënimit në këtë qendër.

Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version