Micheal A. Jones 46-vjeçe nga Kanzasi i Shteteve të Bashkuara është dënuar me burgim të përjetshëm, pasi kishte vrarë të birin e vetë shtatëvjeçar, kurse kjo ngjarje tmerroi më shumë opinionin amerikanë kur me trupin e pajetë të birit ai ushqeu derrat.
Ai të premten është shpallur fajtor për vrasje të shkallës së parë të vogëlushit Adrian Jones, trupi i copëtuar i të cilit është gjetur në stallën që e kishte marrë me qira çifti Jones (babai dhe njerka e vogëlushit), transmeton Telegrafi.
“Djaloshi ishte lënë pas dore, abuzuar dhe në fund është vrarë”, ka bërë të ditur një zyrtar policor.
Sipas dokumenteve të prokurorisë, Adrian ka vdekur mes 18 shtatori dhe 4 tetori i vitit 2015, kurse trupi i tij ishte gjetur një muaj më vonë.
Analizat e ADN-së tregojnë se pjesët e trupit të tij janë gjetur në stallë, kurse kjo skenë e krimit është përshkruar “si më e tmerrshmja” të cilën agjentët ndonjëherë kanë pasur rastin ta shohin në karrierën e tyre. /Telegrafi/