Site icon Telegrafi

Dënohet me burg partneri i gjyshes, përdhunoi të miturën

Policia e Vlorës ka arrestuar një person në kërkim të dënuar me 4 vite e 5 muaj burg për akuzën e marrëdhënies seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç.

Në pranga ka rënë shtetasi Gjergji Memokondaj, 66 vjeç, banues në fshatin Babicë të Vlorës dhe prej një viti ai ishte shpallur person në kërkim.

Memokondaj akuzohet se ka përdhunuar të miturën R.M., atë kohë 15 vjeçe. Vajza jetonte në fshatin Babicë e Madhe me gjyshen e saj shtetasen Festime H. Gjyshja e saj bashkëjetonte me Gjergji Memokondaj dhe të tre së bashku jetojnë në të njëjtën banesë. Me datë 11 tetor të 2013, vajza ka bërë një denoncim në polici ndaj 66-vjeçarit.

Në dëshminë e saj, e mitura ka thënë përpara organit të akuzës se gjatë kohës që ka qëndruar në këtë banesë, është përdhunuar nga bashkëjetuesi i gjyshes Gjergj Memokondaj.

Ndër të tjera ajo ka shpjeguar se në muajin gusht të vitit 2013, në kohën që ka qenë në banesë vetëm me 66-vjeçarin, ky i fundit e ka përdhunuar. Fillimisht ai e ka dhunuar dhe pas aktit kriminal, e ka kërcënuar nëse ajo tregonte për atë që kishte ngjarë.

Në dëshminë e saj e dëmtuara shpjegon se shtetasi Gjergji Memokondaj ka kryer marrëdhënie seksuale me të jashtë dëshirës së saj duke ushtruar dhunë fizike e psikologjike mbi të si dhe duke e kërcënuar që të mos tregonte.

E tronditur në lidhje me sa i kishte ndodhur, e dëmtuara i ka treguar një shoqes së saj, shtetases S. H.,  si dhe të dashurit të saj shtetasit E. P, të cilët e kanë këshilluar që të shkonte në polici dhe të shpjegonte për sa i kishte ndodhur.

Dëshmia e të dëmtuarës dhe faktet e rrethanat e treguara prej saj konfirmohen edhe nga dëshmitë e personave të lartpërmendur.

Në lidhje me akuzën e ngritur ndaj tij i gjykuari Gjergji Memokondaj, gjatë hetimeve paraprake si dhe gjatë gjykimit e ka pranuar faktin që ai ka kryer marrëdhënie seksuale me shtetasen R.M, por sipas tij kjo ka ndodhur me dëshirën e të dëmtuarës. /shqip/

Exit mobile version