Site icon Telegrafi

Dënohet me 300 euro gjobë personi i cili hodhi mbeturinat në një rrugë në Prishtinë

Inspektorati i kryeqytetit ka dënuar me 300 euro një qytetar i cili kishte hedhur mbeturinat anash një rruge në Prishtinë.

Në njoftimin e bërë nga Inspektorati i kryeqytetit thuhet se qytetari po ashtu është detyruar të pastrojë hapësirën në të cilën kishte hedhur mbeturinat, transmeton Telegrafi.

“Të gjithë jemi dëshmitarë të veprimeve të papërgjegjshme të disa qytetarëve të cilët zbrazin mbeturinat kudo në kryeqytet, duke e ndotur ambientin por edhe duke e krijuar një imazh të shëmtuar të kryeqytetit. Inspektorati i kryeqytetit duke ndjekur ankesat e qytetarëve të shfaqura edhe në rrjete sociale, ka arritur të identifikojë personin si në videon e mëposhtme. Inspektorët kompetentë kanë gjobitur të njëjtin në vlerë prej 300 eurosh dhe e kanë detyruar të njëjtin që të pastrojë hapësirën në të cilën kishte hedhur mbeturinat”, thuhet në njoftim.

Lexo po ashtu Komuna e Prishtinës publikon momentin kur qytetari hedh mbeturinat në hapësirë publike

Më tej, në komunikatë bëhet e ditur se në ditët në vijim inspektorati do të vazhdojë kontrollet në zona të ndryshme në kryeqytet, prandaj kërkojmë që të gjithë të veprojmë në përputhje me rregullat e përcaktuara dhe në këtë mënyrë të ndihmojmë organet e kryeqytetit në synimin tonë të përbashkët për një Prishtinë më të pastër./Telegrafi/

Exit mobile version