Telegrafi

Dënohet me 2.8 vite burg shqiptari që kontrabandoi emigrantë në Britani të Madhe

Një 50-vjeçar shqiptar është dënuar me 2.8 vite burgim nga një gjykatë angleze të Britani të Madhe për kontrabandë të emigrantëve shqiptarë.

Eduard Muçaj u shpall fajtor për kontrabandën e disa emigrantëve shqiptarë përmes një jahti të nisur nga Holanda me destinacion Britaninë e Madhe.

Udhëtimi i tyre filloi 9 Gushtin e vitit të kaluar, kur mjeti lundrues jaht në gjendje jo të mirë teknike dhe pa mjetet e emergjencës, u nis Den Oever në Holandë me destinacion Britaninë e Madhe. Në mesin e emigrantëve shqiptarë ishte edhe një fëmijë 8 vjeç.

Autoritetet holandeze njoftuan kolegët britanikë për jahtin me emigrantë pasi Eduard Muçaj nuk po përgjigjej në radio dhe shkëputi kontaktet me portin.

2 ditë më vonë, pranë ujërave territoriale britanike, mjeti lundrues u kap nga rojet bregdetare të Britanisë së Madhe. Autoritetet zbuluan brenda jahtit një duzinë me emigrantë shqiptarë, mes të cilëve edhe 2 persona që kishin më parë urdhra deportimi dhe ndalim për të hyrë në Britani.

Eduard Muçaj

Të gjithë emigrantët ishin pa jelekë shpëtimi, përveç kontrabanduesit Eduard Muçaj.

Autoritetet e konsideruan tepër të rrezikshëm këtë udhëtim, pasi jahti ishte i tejmbushur 3 herë mbi kapacitetin, me probleme teknike në motor dhe pa asnjë jelek shpëtimi udhëtoi për 2 ditë nga Holanda drejt Anglisë.

Muçaj u arrestua menjëherë për kontrabandim të emigrantëve, ndërsa sot u dënua me 2 vite e 8 muaj burgim.