Telegrafi

Dënohet me 100 euro qytetari i cili tentoi t’i largojë pengesat në shtigjet për biçikleta në Prishtinë

Është dënuar me 100 euro qytetari i cili ka tentuar të largojë pengesat në shtigjet për biçikleta në Prishtinë.

Drejtori i Inspekcionit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri ka bërë të ditur se ndaj qytetarit tashmë është shqiptuar një gjobë, transmeton Telegrafi.

Ndryshe, i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti më herët është ankuar për veprimin e këtij qytetari, teksa ka publikuar edhe një video, ku ai shihet duke tentuar t’i largojë pengesat.

“Pse mor vlla? Çka po të pengon? Goxha ndërmarrje me gjet kazmën e me u mundu me prish diçka. A pe sheh qe je në kamerë tash? A e din që është vepër penale kjo?”, kishte shkruar Ahmeti.

Gjatë këtyre muajve, komuna e Prishtinës ka filluar t’i bëjë shtigjet për biçikleta, ndërsa ka vendosur edhe pengesa në mënyrë që në këto shtigje të mos parkohen veturat./Telegrafi/