Drejtoria e Inspekcionit në Prishtinë, ka dënuar me nga dy mijë euro Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismën Socialdemokrate.
Drejtori i Inspekcionit në Prishtinë, Adonis Tahiri, ka thënë se të dyja këto parti kanë organizuar tubime në kundërshtim me vendimet qeveritare dhe ligjet në fuqi, transmeton Telegrafi.
“Vazhdojmë me shqiptimin e gjobave për subjektet politike që organizojnë tubime në kundërshtim me vendimet qeveritare dhe ligjet në fuqi. Inspekcioni i Rendit Komunal po angazhohet në identifikimin dhe marrjen e masave ndaj secilit subjekt – shkelës të ligjit – brenda territorit të Kryeqytetit”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Ai ka thënë se Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë, vlen për të gjithë.
Theksojmë se sipas masave të fundit të miratuara nga Qeveria e Kosovës, në ambiente të mbyllura nuk lejohet tubimi më shumë se 30 qytetarë, kurse në ambiente të hapura lejohet deri në 50./Telegrafi/