Site icon Telegrafi

Dënohen lojtarët që iu kanë borxhe

Iu kanë borxh lojtarëve, por do t’i dënojnë për shkak të paraqitjes së dobët ndaj Bashkimit. Kështu thotë kryetari i Besës, Arbër Elshani, i cili të dielën kishte njoftuar për dorëheqje në ‘Facebook’. Ai ka pranuar se klubi iu ka borxh dy muaj, por për shkak të humbjes do të dënohen. “Ne iu kemi borxh lojtarëve dy muaj. Por, këto vonesa shumë shpejt do të shlyhen. Besoj se në fund të kësaj jave do të jemi zero-zero, por lojtarët do të dënohet për shkak të paraqitjes së dobët ndaj Bashkimit dhe kjo është e qartësuar edhe në rregullore të klubit”, ka thënë Elshani për ‘Sport Plus’.

Besa këtë sezon bëri shumë ndërrime tek lojtarët e huaj, ku shumë u larguan të pakënaqur se nuk iu kanë shlyer obligimet. I fundit që u largua është hungarezi, Bojan Sermaz, derisa të premten njoftuan se kanë arritur marrëveshje me Miller Nakiea Jovon dhe Hester Antonio Kurtis. I pari debutoi kundër Bashkimit, derisa i dyti pritet të arrijë shumë shpejt.

Mbledhje me Bordin

Elshani vazhdon se dorëheqja e tij nuk është miratuar ende. “Unë kam ofruar dorëheqjen të dielën mbrëma pas humbjes nga Bashkimi. Shumë kujt po i pengon klubi ynë. Do të kemi një takim me kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxhiri dhe më pastaj me bordin e klubit. Aty do të vendoset për miratimin apo jo të dorëheqjes time. Klubi do të vazhdojë edhe pa mua”, ka theksuar më tej ish-basketbollisti i juniorëve të Pejës. “Ne jemi klub më stabil se Peja. Do të vazhdojmë me basketbollistë vendorë që është edhe synimi primar i klubit. Kemi shumë lojtarë të talentuar dhe nuk e meritojnë të lihen anash”, ka përfunduar Arbër Elshani.

Besa ndodhet në vendin e gjashtë me 23 pikë të tubuara, me gjashtë fitore dhe 11 humbje. /SportPlus/Telegrafi/ 

Exit mobile version