Hajdari fundjavën e kaluar drejtoi ndeshjen Drenica – Trepça dhe referoi një penallti të dyshimtë që i solli fitoren vendasve. Ai fillimisht u vlerësua me notën 3,5 por këtë not Komisioni për gjyqtarë e zbriti në të dobët (1), për ndikim të drejtpërdrejtë në rezultatin përfundimtar të ndeshje.
Pas uljes së notës, Hajdari të mërkurën u dënua me pesë ndeshje mosreferim nga Komisioni disiplinor i Superligës. Raci kishte drejtuar ndeshjen mes Besës e Hajvalisë dhe po ashtu iu ul nota nga 3 në 1, për lëshime të theksuara në referim.
Kontrollorët që kishin dhënë notat kaluese, Ramiz Peshteri e Mustafë Domi janë suspenduar për dy muajt e ardhshëm.
Komisioni disiplinor ka hapur procedurë disiplinore ndaj klubit Llamkos Kosova për hedhje të gjësendeve në terren nga ana e tifozëve gjatë ndeshjes me Trepçën ’89 të luajtur në Mitrovicë.
Nga vushtrriasit është kërkuar raport shtesë, pasi bëhet fjalë për rast të përsëritur. Procedurë është hapur edhe ndaj Hajvalisë për tentim sulmi në arbitrin Raci.
Të ndëshkuarit me kartonë të kuq në xhiron e dytë, Edmond Turku (Trepça), Egzon Gashi (Besa), Armend Kastrati (Hajvalia) e Përparim Islami (Hysi), janë dënuar me nga dy ndeshje moslojë. Blerim Berisha i Trepçës ’89 është pezulluar pa të drejtë loje deri në vendimin përfundimtar. /Koha/Telegrafi/