Ish-basketbollisti Dennis Rodman thotë se ekziston mundësi e madhe që tensionet ndërmjet Koresë Veriore dhe SHBA-së të ulen, pasi që Donald Trump dhe Kim Jong-Un të takohen personalisht.
Në emisionin “Mirë mëngjes, Britani”, Rodman ka folur për miqësinë e pazakontë me liderin koreanoverior dhe përvojat që kishin së bashku – duke kënduar karaoki dhe duke kalëruar. Ai tash thotë se është i bindur, se tensionet do të zbuten sapo të takohen Trump dhe Jong-Un.
“Asnjëherë në jetë nuk kam njohur dikë që është kaq i fuqishëm. Nëse takohen Trump dhe Kim Jong-Un për të biseduar pak, një gjë e tillë do të hapte dyert për bisedime të reja”, ka thënë Rodman.
Ish-basketbollisti amerikan ka vizituar Korenë Veriore pesë herë. Rodman i ka dhënë mbështetje Trump, të cilin po ashtu e konsideron mik dhe tha se në Korenë Veriore kishte shkuar “si ambasador i sportit”. /kp/