Aktorja, Denise Richards, ka rrëfyer se u përball me ngacmim seksual në fillimet e karrierës së saj dhe u paralajmërua se, nëse fliste, do të futej në listën e zezë të industrisë.
“Më thanë se nuk do të punoja më kurrë”, tha aktorja 54-vjeçare për ‘People’, duke pranuar se ndihej e pambrojtur dhe pa mbështetje.
Megjithatë, ajo shprehet e lumtur që, falë lëvizjes #MeToo, gratë tani kanë më shumë zë dhe mbrojtje, shkruan DailyMail.
Duke reflektuar mbi të kaluarën, Richards tregoi se ndjehet krenare për vajzat e saj, të cilat nuk hezitojnë të shprehin mendimet e tyre.
“Do të doja të kisha pasur të njëjtin vetëbesim si ato”, tha ajo.
Aktorja foli gjithashtu për përvoja të tjera traumatike, përfshirë një sulm seksual që përjetoi në moshën 15-vjeçare, kur një burrë e sulmoi në rrugë dhe e tërhoqi zvarrë.
“Isha e ngrirë nga frika dhe nuk mund të bërtisja për ndihmë”, rrëfeu ajo.
Richards pranoi se ende po përballet me pasojat e këtyre përvojave dhe po përpiqet të mësojë si të kapërcejë frikën.
“Nuk e di nëse do të jem ndonjëherë në gjendje ta lë pas të kaluarën”, tha ajo, duke shtuar se dëshiron që vajzat e saj të mos e përjetojnë kurrë një situatë të ngjashme. /Telegrafi/