Site icon Telegrafi

Me dënimin e Mladiqit, ideja dhe qëllimi i fashizmit serb nuk janë mposhtë

Baba Rama e thirrte t’birin: “Nermin-eee hajde … lirisht tek serbët, të gjithë hajdeni…”

1.

Kjo ishte thirrja ma e trisht dhe përshkrimi i dokumentuem – tuj ndodhë – i mizorisë së fashizmit serb në Srebrenicë, mizori që e mbylli shekullin e 20-të tuj e përseritë vetën në Mejë dhe gjithandej në Kosovë.

2.

“Nermin, hajde”, është skulptura qe evokon tmerrin e Srebrenicës së 11 korrikut 1995. Fotografinë e Ballkanit të fundshekullit 20.

Kjo është piktura e shtangur (vepër e Mensud Keco) që klith, klithma e fundit e Ramo Osmanoviqit i cili ishte detyrue nga barbarët e Ratko Mladiqit me e thirrë të birin, strehue n’malet rrotull, ngase i ishte thânë se nuk ka me u ndodhë asgjâ.

3.

Trupat e Ramos dhe djalit të tij Nermin u gjetën në vitin 2008 në një varrezë masive ngat Srebrenicës.

Kjo âsht thirrja e nji babe të cilën nuk e dëgjoi Zoti, kurse njeriu religjioz në emnin e po atij Zoti shkrepi plumbat e urrejtjes patologjike mbi Ramon, Nerminin dhe 8372 … njerëzve të cilët nuk kanë nevojë për ne – siç tha Hanah Kral – ne kemi nevojë për klithmën e tyne!? Me u vërtetu nëse ende jemi njerëz!?

4.

Kjo thirrje tash âsht ngurtësu dhe u flet epokave për njerëz mizorë, që munen me ia behë kurdo e kudo, nga honet e funbotshme, si monstrumët Karaxhiqit e Mladiqit dhe shefi i tyne n’Beligrad, Milosheviqi…

Fashizmi nuk ka vdekë.

Ideja jeton, thotë Primo Levi në librin “A është, vallë, njeri…?”, shkru e botue më 1947-ën, pas daljes nga kampi i përqendrimit në Auschwitz.

5.

Sot, kur monstrumit Ratko Mladiq TPJI ia konfirmoi dënimin me burg të përjetshëm, nuk mundet me u thanë se ishte satisfaksion moral për viktimat, përderisa jeton krijesa e tij kriminale, Republika Srpska!?

Porse, ky konfirmim sëpaku vjen si nji vëmendje se bota e lirë nuk i harron krimet dhe gjenocidin.

6.

Po sot (8. qershor, 2021) nji tjetër gjeneral famëkeq serb, Ljubisha Dikoviq (pjesëmarrës në fushatën gjenocidale serbe në Kosovë, 1999) u zotu se ushtria serbe herdokur do të kthehet në Kosovë!?

Ky âsht sinjal për ndërgjegjen e njerëzimit se fashizmi nuk ka dekë, vetëm kërkon rrethana të favorshme me u rishfaqë!?

Bota tue legjitimu krijesat kriminale të gjeneralëve si Mladiqi, te modelit Republika Srpska, e ka inkuraju fashizmin serb për masakra të reja, spastrim etnik dhe krime gjenocidi, sepse qëllimi i tij qëndron i pamposhtun!

 

Exit mobile version