Telegrafi

Ambasada e SHBA-së në Tiranë: Vendimi ndaj Saimir Tahirit, demonstron pavarësinë në rritje të gjyqësorit

Pas Ambasadës britanike në Tiranë, edhe Ambasada amerikane ka reaguar lidhur me dënimin e ish ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, Saimir Tahiri.

Përmes një shkrimi në faqen zyrtare në Facebook, thonë se, ‘vendimi i djeshëm kundër Tahirit demonstron pavarësinë në rritje të gjyqësorit’.

Lexo po ashtu Pas dënimit të Saimir Tahirit, ambasadori britanik përgëzon sistemin ligjor në Shqipëri

“Vendimi i djeshëm kundër ish Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri demonstron pavarësinë në rritje të gjyqësorit dhe fillimin e fundit të pandëshkueshmërisë për personat me lidhje të forta. Ndërkohë që dënimi i zotit Tahiri për akuzën e shpërdorimit të detyrës sinjalizon një hap të rëndësishëm përpara, dënimi është shkurajues, duke pasur parasysh se sa të rënda ishin akuzat”, thuhet në reagimin e tyre.

Lexo po ashtu Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dënohet për shpërdorim të detyrës

Më tej Ambasada konsideron se, ‘ata që shpërdorojnë besimin publik dhe shkelin ligjin duhet të përballen me pasoja domethënëse’.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbeten partnerë të Shqipërisë, në mbështetje të përparimit të mëtejshëm të reformës në drejtësi, transparencës dhe qeverisjes së mirë”, thuhet në fund./Telegrafi/