Pas Ambasadës britanike në Tiranë, edhe Ambasada amerikane ka reaguar lidhur me dënimin e ish ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, Saimir Tahiri.
Përmes një shkrimi në faqen zyrtare në Facebook, thonë se, ‘vendimi i djeshëm kundër Tahirit demonstron pavarësinë në rritje të gjyqësorit’.
“Vendimi i djeshëm kundër ish Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri demonstron pavarësinë në rritje të gjyqësorit dhe fillimin e fundit të pandëshkueshmërisë për personat me lidhje të forta. Ndërkohë që dënimi i zotit Tahiri për akuzën e shpërdorimit të detyrës sinjalizon një hap të rëndësishëm përpara, dënimi është shkurajues, duke pasur parasysh se sa të rënda ishin akuzat”, thuhet në reagimin e tyre.
Më tej Ambasada konsideron se, ‘ata që shpërdorojnë besimin publik dhe shkelin ligjin duhet të përballen me pasoja domethënëse’.
“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbeten partnerë të Shqipërisë, në mbështetje të përparimit të mëtejshëm të reformës në drejtësi, transparencës dhe qeverisjes së mirë”, thuhet në fund./Telegrafi/