Site icon Telegrafi

Dënimi Pjetër Shalës, Murati: Edhe një tjetër përpjekje për goditjen e UÇK-së

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka reaguar pas dënimit të Pjetër Shalës me 18 vite burgim nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Murati e quajti këtë dënim një përpjekje tjetër për të goditur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe kontribuesit e luftës çlirimtare.

Në një postim në Facebook, Murati theksoi se, pavarësisht dënimeve që po bien padrejtësisht mbi të dënuarit dhe familjet e tyre, UÇK-ja dhe lufta e popullit shqiptar për çlirimin e Kosovës kanë kaluar gjykimin e “Gjykatës së Historisë”.

“Edhe një përpjekje për goditjen e UÇK-së dhe kontribuesve të luftës çlirimtare. Dhe përderisa këto dënime të padrejta po bien mbi barrën e të dënuarve padrejtësisht dhe familjeve të tyre, UÇK-ja dhe lufta çlirimtare e popullit shqiptar për çlirimin e Kosovës, kaherë kanë kaluar gjykimin e Gjykatës së Historisë”, ka shkruar Murati, ka shkruar Murati, transmeton Telegrafi.

Ai shprehu besimin se gjeneratat e ardhshme do të jetojnë me lavdinë e kësaj lufte për liri dhe do të jenë krenarë me vlerësimin e përjetshëm të historisë njerëzore, pavarësisht realitetit të sotëm të Gjykatës Speciale.

“Gjeneratat e ardhshme do të jetojnë me lavdinë e kësaj lufte për liri dhe krenarë me vlerësimin e gjykatës së përjetshme, asaj të historisë njerëzore, paçka që ne po duhet të jetojmë në kohën e kësaj gjykate të përkohshme absurde qoftë në planin juridik, e po ashtu në atë politik”, ka shtuar Murati.

Pjetër Shala, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është dënuar të martën me 18 vjet burgim për krime lufte nga trupi gjykues i Gjykatës Speciale.

Ai është shpallur fajtor për ndalim arbitrar dhe torturë kundër së paku 18 personave dhe në pikën e vrasjes së paligjshme kundër një personi, më ose rreth datës 5 qershor 1999, në fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë.

Gjykata ka thënë se akuza e trajtimit mizor është mbuluar tërësisht nga ajo e torturës dhe nuk është shqyrtuar më tej nga Gjykata.

Sipas Gjykatës, viktimat kanë qenë kryesisht shqiptarë të Kosovës, të cilat kanë pësuar dëme nga shqiptarë tjerë të Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version