Site icon Telegrafi

Dënimi i Pjetër Shalës, Klinaku: Specialja po dënon luftëtarët e UÇK-së, duke u bazuar në dëshmi të pushtuesit serb

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku ka reaguar pas dënimit me 18 vjet burgim të Pjetër Shalës nga Gjykata Speciale.

Në reagimin e bërë në Facebook, Klinaku thotë se Specialja po i bën dënimet duke u bazuar në dëshmi të pushtuesit serb, transmeton Telegrafi.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka luftuar kundër pushtuesit serb dhe për lirinë e popullit. Gjykata Speciale në Hagë në emër të popullit dënon luftëtarët e UÇK-së, por duke u bazuar në dëshmi të pushtuesit serb e me dëshmi të dëshmitarëve të fshehur nga populli”, thuhet në reagimin e tij.

Lexo po ashtu Specialja dënon me 18 vjet burgim Pjetër Shalën, i njohur si komandant "Ujku"

Tutje, ai ka pohuar se “ashtu sikur në aktgjykimet e kaluara, edhe në rastin e bashkëluftëtarit Pjetër Shala, Gjykata Speciale aktgjykimet i merr politikisht”.

Ndryshe, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, i njohur si komandant “Ujku”, u dënua sot me 18 vjet burgim nga Gjykata Speciale në Hagë./Telegrafi/

Exit mobile version