Partia Socialdemokrate ka njoftuar se kanë paditur Agjencionin për Informim dhe Privatësi, pas dënimit me 20 mijë euro.
PSD përmes një njoftimi për media ka thënë se kanë bërë këtë padi, duke shtuar se vendimi i tyre është politik.
“Padisim Agjencionin për Informim dhe Privatësi për vendimin e tyre politik. Vendimi për dënimin e PSD-së me 20,000€ ka vetëm një qëllim: pengimin e aktivitetit të saj politik. Baza ligjore mbi të cilën është shkruar kjo gjobë lëngon nga zbatimi i drejtë i dispozitave ligjore, përkatësisht i dispozitave përkatëse të Ligjit nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, thuhet në njoftimin e PSD-së.
Më tej, në reagim thuhet se “PSD sot ka paditur këtë Agjension, duke kërkuar anulimin e vendimit, qartësisht të pabazë dhe tendencioz”.
Ndryshe, para disa ditësh, me 20 mijë euro është gjobitur Partia Socialdemokrate nga Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), për “përpunim të kundërligjshëm të të dhënave personale”.
Kjo parti një muaj më parë përmes një aksioni simbolik, pati vendosur para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës 205 mijë nënshkrimet e peticionit të vitit 2016 kundër marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. /Telegrafi/