Valdet Gashi, prokuror në Prokurorinë Speciale ka treguar se përse në rastet e korrupsionit si rezultat i aktakuzave të PK-së janë dënuar vetëm 40 % e të akuzuarve për vepra penale korruptive – 16 nga 40 të akuzuarit.
“Nuk mund të them që i ka fajet gjykata apo prokuroria. Prokuroria e kryen punën e saj, i zhvillon hetimet dhe në momentin që përfundojnë hetimet kur e vlerëson e ngrit edhe aktakuzën, në momentin kur ngritet aktakuza për prokurorinë është e qartë edhe është bindur mjaftueshëm që ka elemente të veprës së korrupsionit, dhe në raste të tilla është gjykata ajo që vlerëson edhe provat”, tha ai në emisionin ‘Kallxo Përnime’.
Sipas tij Prokuroria Speciale nga viti në vit ka shënuar rritje të efikasitetit.
“Nuk po them që jemi të stërkënqaur apo të kënaqur me statistikat të cilat i kemi, mirëpo për çdo vit Prokuroria Speciale ka shkuar në rritjen e efikasitetit të punës së saj edhe në këtë pjesë. Trajtimin e rasteve të tilla statistikat tregojmë që kemi një përqindje të lartë të trajtimit të këtyre rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë”, tha ai.
Në emisionin ‘Kallxo Përnime’ po debatohet për “luftën speciale” kundër korrupsionit.
Të ftuar në emision përveç Gashit janë edhe Burim Ademi, gjyqtar në Departamentin Special të Gjykatës së Apelit, Labinot Leposhtica nga BIRN dhe Arbër Jashari, avokat.