Gjykatësi i suspenduar i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj, Rafet Ismaili dhe zyrtari policor Blerim Gashi janë shpallur fajtor për ushtrim ndikimi, të premten nga gjykatësit e Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Kështu ka njoftuar Gjykata Themelore në Prishtinë, transmeton Telegrafi.
“I akuzuari R.I është shpallur fajtor për veprën penale Ushtrimi i ndikimit, nga neni 424 par.1 të KPRK-së dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 vite e 6 muaj, të cilin dënim do ta vuan në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi dhe dënim me gjobë në lartësi prej 2000 euro të cilin dënim duhet ta paguaj në afat prej 3 muajve pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim thuhet se i akuzuari B.G është shpallur fajtor për veprën penale Ushtrimi i ndikimit, nga neni 424 par.1 të KPRK-së dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 vite e 6 muaj, të cilin dënim do ta vuan në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi dhe dënim me gjobë në lartësi prej 2000 euro të cilin dënim duhet ta paguaj në afat prej 3 muajve pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
“Të akuzuarve R.I dhe B.G do t’ju llogaritet në dënimin e shqiptuar me burgim koha e kaluar në masën e arrestit shtëpiak dhe në paraburgim nga data 26.09.2019 deri më datën 18.11.2019. Të akuzuarve R.I dhe B.G, u shqiptohet dënimi plotësues, Ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, në kohëzgjatje prej 2 viteve pas ekzekutimit (vuajtjes) së dënimit”, thuhet në njoftim.
Më tej, njoftim thuhet se obligohen të akuzuarit që buxhetit të Republikës së Kosovës, tua kthejnë shumën e të hollave, i akuzuari R.I shumën prej 1 mijë 500 euro dhe i akuzuari B.G, shumën e të hollave prej 1 mijë euro, mjete këto të fondit të policisë së Kosovës, të cilat janë shfrytëzuar me rastin e simulimit të veprës penale.
“Të akuzuarit R.I dhe B.G, në cilësinë e personave zyrtar kishin pranuar përfitime pasurore duke keqpërdorur pozitën zyrtare të tyre. Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës”./Telegrafi/