Në Shqipëri, Gjykata e posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dënoi sot me 3 vite dhe 8 muaj heqje lirie ish kryebashkiakun e Lushnjes, të arrestuar në korrik të vitit të shkuar.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar ai do të duhet të vuajë 2 vite e 4 muaj burgim, ndërsa për 5 vitet e ardhshme i ndalohet të ushtrojë funksione publike.
Nga ana e saj Prokuroria e Posaçme, SPAK, kishte kërkuar dënimin e tij me 5 vite.
Por Gjykata rrëzoi akuzën e “shkeljes së barazisë në tendera”, duke lënë në fuqi akuzat e “Shpërdorimit të detyrës”, në dy raste, një për lejimin e një ndërtimi pa leje dhe një tjetër për abuzim me fondet e karburantit të Bashkisë. Avokati i ish kryebashkiakut kishte kërkuar pafajësi për klientin e tij.
Në proces ishin gjithashtu dhe 19 zyrtarë e nëpunës të tjerë të Bashkisë dhe sipërmarrës.
Ish-nënkryetari i bashkisë Gentian Nushi, u dënua me me 2 vite e gjashtë muaj burg për akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe shkelje të barazisë në tendera publike. Dënimi iu reduktua në 1 vit e tetë muaj ndërsa për 5 vite ai nuk mund të ushtrojë funksione publike.
Për pjesën tjetër të të pandehurve dënimet ishin të një mase më të lehtë, për akuza nga “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, te “Shkelja barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Shpërdorimi i detyrës”, dhe “Falsifikimi i dokumenteve”./VOA