Site icon Telegrafi

Dënime astronomike të parapara në Ligjin aktual për arsim fillor në Maqedoni

Ndëshkimi me vlerë shumë të lartë në para, sipas personave të cilët merren me çështje të arsimit, është edhe arsyeja kryesore për moszbatimin e atyre predispozitave. Dhe meqë paga mujore e një mësimdhënësi, për shembull është 370 euro, Këshilli i shkollës, drejtori dhe organe tjera të shkollës shumë normal që do të japin maksimumin për të mbrojtur mësimdhënësit nga ndëshkimet.

Dënime astronomike janë të përfshira në Ligjin aktual të arsim fillor në Maqedoni, të cilat mund të shkojnë deri në 8 mijë euro për mos respektim të predispozitave të caktuara, shkruan gazeta KOHA.

Ndërkaq në total – vlera e dënimeve për të gjitha kategoritë është 26.150 euro, ku më e kërcënuar nga kundërvajtjet e mundshme është shkolla si subjekt juridik me 9000 euro gjithsej, pastaj vijnë në radhë drejtorët, mësimdhënësit, përgjegjësit e personit juridik, mësimdhënësit dhe prindërit.

Konkretisht, nuk do të bëjnë raporte dhe procesverbale për mësimdhënësit, të cilët mund të kenë shkelur nene të caktuara të Ligjit, për mos zbatimin e të cilëve janë caktuar sanksione në para. Për shembull, mësimdhënësit – sipas nenit 72-b, do të dënohen me 500 euro në kundërvlerë të denarit në rast se nuk paraqesin orar për mësim plotësues dhe shtesë për çdo lëndë mësimore dhe të njëjtin nuk e vendosin në vend të dukshëm të shkollës. Faktikisht, në asnjë shkolë nuk gjen të shpalosur oraret e këtilla dhe në të njëjtën kohë – nuk është shqiptuar asnjë dënim për mësimdhënësit për këtë arsye. Por, ata mund të dënohen edhe me 1000 euro gjobë nëse “nuk e realizon numrin vjetor dhe javor të orëve për mësim në pajtim me plan-programin mësimor” apo “nuk e realizon mësimin në mënyrë interaktive”, si dhe për disa raste tjera të ngjashme, të cilat përshkruhen në nenin 172-v. Dënimi i drejtorëve për të njëjtat arsye është 1500 euro, kurse i shkollës 3000 euro.

Në të vërtetë, gjobat më të larta janë vendosur për mënyrën e organizmit të shkollës, procesit mësimor dhe mekanizmave të kontrollit, respektivisht për mos zbatimin e normave të caktuara me këtë Ligj. Kështu, shkollat do të gjobiten nga 3500 deri në 4000 euro në kundërvlerë me denarë, drejtorët me 2500 dhe mësimdhënësit me 1500 nëse në shkollë “organizohet organizim dhe veprim politik dhe fetar dhe vendosen shenja partiake dhe fetare”. Të njëjtat dënime janë edhe në rastin e ushtrimit të dhunës pisikike apo keqtrajtimit fizik të nxënësit nga ana e mësimdhënësit, ose drejtorët bëjnë “zgjedhjen e mësimdhënësve dhe të bashkëpunëtorëve profesionalë në kundërshtim me dispozitat e caktuara ligjore”.

Por dënime me nga 1000 euro janë të parapara edhe për prindit, përkatësisht kujdestarin e fëmijëve, nëse fëmija keqtrajtohet psikikisht apo fizikisht. Mosrealizimi i procesit të vetë evaluimit të shkollës gjithashtu është i dënueshëm me Ligjin për arsim fillor edhe atë me 4000 euro për shkollën dhe 2500 për drejtorët. Dënime, gjegjësisht gjoba në para janë caktuar të shqiptohen edhe për mosrealizimin e lëndëve të obligueshme dhe zgjedhore mësimore për nxënësit me nevoja të veçanta edhe atë me 2500 euro për shkollën, 1500 euro për drejtorin dhe 500 euro për mësimdhënësin./Telegrafi/

Exit mobile version