Telegrafi

Dendias: Ka progres me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias e ka vlerësuar takimin e ministrave të jashtëm të BE me homologët nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria si të suksesshëm dhe shprehu besimin se është arritur përparim në harmonizimin e pozicioneve në fillimin e negociatave të pranimit në BE me Shkupin dhe Tiranën.

“Kjo ishte një mundësi e parë e dobishme, pas Këshillit Evropian të tetorit, për të shkëmbyer mendime se si mund të ecim përpara në periudhën e ardhshme. Është bërë një kërkesë për të përmirësuar metodologjinë e zgjerimit dhe për të mbajtur fokusin në perspektivën evropiane të Maqedonisë Veriore dhe Shqipërisë, si dhe vendeve të tjera të rajonit, në përputhje me ligjet evropiane”, tha Dendias.

Ai u shpreh i bindur se në një farë mase, sot është arritur diçka.

“Ky ishte një diskutim i frytshëm dhe thelbësor dhe një hap përpara. Ne do të vazhdojmë të punojmë për të arritur një zgjidhje pozitive, ndoshta marsin e ardhshëm”, shtoi ai pas takimit.

Kreu i diplomacisë greke tha se Greqia është anëtari më i vjetër i rajonit të BE-së, dhe se është një faktor stabiliteti dhe bashkëpunimi, dhe se do të vazhdojë të ndërmarrë nisma të qarta në këtë drejtim./Telegrafi/