Demush Shasha nga Instituti EPIK ka thënë se takimi i Novi Sadit që nxori deklaratën për mini Schengenin Ballkanik ka aspektet pozitive dhe negative për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Shasha, në “Dossier D” në RTV Dukagjini ka thënë se deklarata për mini Schengenin Ballkanik në parim është marrëveshje pozitive pasi është në frymën e Bashkimit Evropian.
“Është pozitive që deklarata është në përputhje të plotë me ambiciet dhe obligimet e vendeve të Ballkanit Perëndimor karshi BE-së. E dyta. Kjo deklaratë i mishëron obligimet që vendet e Ballkanit Perëndimor kanë karshi BE-së që janë: Marrëveshjet e stabilizim-asocimit, marrëveshja e CEFTA-s, plani për krijimin e zonës ekonomike i lansuar në Samitin e Triestes në kuadër të Procesit të Berlinit. Me këtë deklaratë qytetarët mund të udhëtojnë në këto shtete vetëm me letërnjoftime. Deklarata thotë se do të njihen diplomat e Ballkanit. Edhe profesionet e caktuara mund të lëvizin pa pengesa në Ballkan”.
Shasha siç përcjell Telegrafi, ka thënë se deklarata për mini Schengenin Ballkanik ka edhe gjëra negative.
“Përkundër që gjashtë vendet e Ballkanit Përendimor janë deklaruar për bashkëpunim të plotë, ajo që pamë është se tri vende u ndanë nga të tjerat pa përfshirjen e tri të tjerave. Pra u bë një ndarje e panevojshme e këtyre vendeve. E dyta. Të gjitha gjërat që thuhen nuk janë sfida të reja. Është e paqartë pse është nevojitur një iniciativë e re kur dihet se ka një proces për këto probleme siç është ai Berlinit është aktiv. Pra është krijuar një forum ku janë përjashtuar Kancelarja Merkel dhe Presidenti Macron”.
Drejtori ekzekutiv i Institutit Epik ka thënë se është shumë konfuze pse u krijua mini Schengeni Ballkanik.
Ai ka shtuar se iniciativa të tilla duhet të diskutohen mirë dhe duhet bëhen me pjesëmarrjen e të gjitha vendeve që do të përfshihen në to./Telegrafi/